Historiku

Historiku

Galeria Kombëtare e Arteve është një institucion shtetëror në varësi të Ministrisë së Kulturës. Ajo funksionon në mbështetje të Ligjit për Muzetë dhe Ligjit për Trashëgiminë Kulturore Kombëtare të Republikës së Shqipërisë.

GKA funksionon në bazë të statusit të saj i cili aprovohet nga Ministria e Kulturës, si dhe nga  rregullorja e saj e brendshme. Galeria Kombëtare e Arteve i ka fillimet e saj me përpjekjet e një grupi artistësh shqiptarë dhe  të Komitetit të Arteve të vitit 1946.

Pinakoteka ishte institucioni i pare i arteve figurative ne Shqipëri. Pas një pune të mirëfilltë dhe përpjekjesh të shumta në 11 janar 1954 u hap zyrtarisht për publikun Galeria e Arteve në Tiranë.

Në vitin 1956, si rrjedhojë e pasurimit të fondit të veprave të artit, prej lulëzimit të krijimtarisë dhe blerjeve të kohës, Galeria u zhvendos në një godinë më të përshtatshme, me tre kate në   rrugën "Fortuzi" dhe me hapësira ekspozuese të shumta, si brenda ashtu edhe jashtë saj.

Galeria, funksionoi në dy drejtime kryesore, në atë të linjës së përhershme ekspozuese dhe në çeljen e ekspozitave të përkohshme të artisteve shqiptarë e të huaj. Vizionet e reja rreth zhvillimit dhe ekspozimit të arteve figurative si dhe blerjet rritën numrin e veprave të artit dhe sollën kërkesën për një ndërtesë më funksionale, e cila u inaugurua më 29 nëntor 1974, në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", ndërtesë, ku ndodhet edhe sot. Ky është dhe momenti i riorganizimit dhe rikonstruktimit të parë, i cili konsistoi në ngritjen e një strukture administrative, që përbehej nga disa sektorë përkatës dhe në funksion të veprimtarive artistike.

Fondi i Galerisë së re, deri në këtë periudhë kishte 340 vepra dhe në arkivin e saj ishin regjistruar 240 autorë. Që nga ky vit GKA funksionon si institucioni më i rëndësishëm dhe i vetëm kombëtar i ekspozimit, konservimit, studimit, restaurimit, edukimit, botimit, dokumentimit dhe arkivimit të veprave të artit në Shqipëri. Me vendim të Këshillit të Ministrave, nr. 350, date 10. 8. 1992, Galeria e Artit merr emrin Galeria Kombëtare e Arteve me këtë motivim: "Për të shprehur më mirë qëllimin dhe funksionimin e këtij institucioni si i vetëm, kombëtar që mbron dhe promovon interesat e arteve figurative shqiptare". Që nga viti 1949 e deri më sot, Galeria Kombëtare e Arteve funksionon si i vetmi institucion kulturor i këtij lloji.

Në vitin 2009 në Galerinë Kombëtare të Arteve u bënë ndërhyrje dhe investime të rëndësishme, të cilat konsistojnë në një rikonstruksion cilësor të hapësirave të brendshme dhe kthimit të tyre sa më pranë projektit origjinal të ndërtesës, si dhe konceptimit të një linje të re muzeale që i përgjigjet njohjes, edukimit dhe informimit artistik të publikut shqiptar dhe të huaj në nivele sa më të larta.

Galeria Kombëtare e Arteve është institucion kombëtar, qëndror, muzeor, studimor, shkencor, me qëllim të vetëm ruajtjen, prezantimin, promovimin e trashëgimisë kombëtare të shtetit shqiptar në fushën e arteve pamore.

GKA, ka mision grumbullimin, koleksionimin, konservimin, dokumentimin, studimin, restaurimin, ekspozimin dhe zhvillimin e vlerave të trashëgimisë kulturore, duke promovuar veprat më të mira të artit pamor shqiptar të traditës dhe atij bashkohor kombëtar e ndërkombëtar.


Stafi i GKA

Erzen Shkololli - Drejtor

 


Olsi Laska - Përgjegjës i Sektorit të Konservim - Restaurimit
olsi.laska@galeriakombetare.gov.al

Hysen Hajdaraj - Pergjegjës i Sektorit të Mirëmbajtjes dhe Sigurisë
hysen.hajdaraj@galeriakombetare.gov.al

Elvana Zajmi - Pergjegjës i Sektorit të Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse
elvana.zajmi@galeriakombetare.gov.al


 

Drejtorët e GKA në vite

2013 - 2018 Artan Shabani
2008 - 2013 Rubens Shima
2006 - 2008 Genc Mulliqi
2005 - 2006 Nestor Jonusi
2002 - 2005 Abaz Hado
1998 - 2002 Gëzim Qëndro
1994 - 1998 Alush Shima
1992 - 1994 Qirjako Meniko
1987 - 1992 Ksenofon Dilo
1982 - 1987 Fuat Dushku
1969 - 1982 Dhimitraq Trebicka
1966 - 1969 Kujtim Buza
1961 - 1966 Kristaq Rama
1957 - 1961 Odhise Paskali
1955 - 1957 Nexhmedin Zajmi
1953 - 1955 Pali Dhimitri
1952 - 1953 Shaban Hadëri